Ndahet nga jeta në moshën 97-vjeçare profesori dhe veterineri i njohur Qemal Poçi
Një lajm i trishtë ka prekur komunitetin veterinar shqiptar. Në moshën 97-vjeçare është ndarë nga jeta Qemal Poçi, Doktor i Shkencave Veterinare dhe një prej emrave të rëndësishëm në zhvillimin e Toksikologjisë Veterinare në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Urdhri i Mjekut Veterinar, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjen, kolegët dhe të gjithë profesionistët e mjekësisë veterinare që u formuan dhe u frymëzuan nga puna e tij.
Qemal Poçi u diplomua me Diplomë të Artë në Akademinë Veterinare të Moskës, ndërsa më pas u specializua në fushën e toksikologjisë ushtarake.
Për më shumë se tri dekada, ai kontribuoi në veterinarinë shqiptare, duke shërbyer në struktura ushtarake dhe civile. Gjatë karrierës së tij profesionale, ai punoi në Spitalin Qendror Veterinar, në disa prej ekonomive më të mëdha bujqësore të vendit, si dhe në Institutin e Kërkimeve Veterinare.
Një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij ia kushtoi edhe arsimit, duke dhënë kontribut në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare dhe duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të veterinerëve.
Ceremonia e përcjelljes së tij për në banesën e fundit do të zhvillohet më 16 gusht, në orën 11:00, në Qendrën Funerale “Alba”, në Rrugën e Durrësit, Tiranë.
Kujtimi dhe kontributi i tij në mjekësinë veterinare shqiptare do të mbeten pjesë e historisë së këtij profesioni.
