Një grup qytetarësh ka nisur në Gjakovë një peticion që synon ndryshimin e emrit zyrtar të Republikës së Kosovës, duke propozuar rikthimin e emërtimit “Dardani”.
Nisma ka nisur në sheshin qendror të Gjakovës, ku organizatorët po mbledhin nënshkrime me synimin që peticioni të procedohet më tej në institucionet e Kosovës.
Sipas iniciatorëve, territori i Kosovës së sotme lidhet historikisht me Dardaninë dhe hapësirën ilire. Ata argumentojnë se emri “Kosovë” ka origjinë sllave dhe kërkojnë që për këtë çështje të zhvillohet një debat publik.
Njëra nga iniciatoret, Fatushe Dervishdana, ka deklaruar se peticioni është ndërmarrë pikërisht për shkak të origjinës së emrit aktual.
“Nëse vazhdojmë me mbajt emrin sllav Kosovë, bëjmë gabim trashanik”, është shprehur ajo.
Sipas saj, nisma është iniciuar nga nëntë persona dhe synimi është mbledhja e numrit të nevojshëm të nënshkrimeve, në mënyrë që kërkesa të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim.
Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet e Kosovës për këtë nismë. Mbetet për t’u parë nëse peticioni do të arrijë mbështetjen e nevojshme për të kaluar në fazat e mëtejshme institucionale.
Ndryshimi i emrit zyrtar të shtetit do të kërkonte ndjekjen e procedurave përkatëse kushtetuese dhe ligjore.
