Skip to content

Vrasja që tronditi Ksamilin/ Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë

Vrasja e turistit në Ksamil, zbardhen detaje të reja për konfliktin dhe arrestimin e 29-vjeçarit

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen tragjike në Ksamil, ku 20-vjeçari francez Miguel Mendes u gjet pa shenja jete pranë një lokali në zonën bregdetare.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 05:15 të mëngjesit, ndërsa i riu u gjet në zonën e shezlongëve pranë beach barit “Principotes”. Mendes ndodhej në jug të Shqipërisë së bashku me një grup turistësh francezë dhe po qëndronte në Ksamil.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, gjatë natës ai dyshohet se është përfshirë në një konflikt me 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has dhe i punësuar si truprojë.

Shkaqet e përplasjes ende nuk janë përcaktuar përfundimisht. Një nga pistat e hetimit lidhet me një konflikt të nisur për motive të dobëta, ndërsa po verifikohet edhe mundësia që në qendër të përplasjes të ketë qenë një vajzë.

Sipas raportimeve paraprake, 20-vjeçari është nxjerrë nga ambientet e lokalit dhe më pas dyshohet se është goditur disa herë me thikë në pjesën e shpinës dhe të kraharorit. Plagët rezultuan fatale dhe i riu nuk mundi të mbijetonte.

Pas ngjarjes, Vata dyshohet se është larguar nga vendi dhe për disa orë ka qenë në arrati. Policia vijoi kërkimet dhe e lokalizoi 29-vjeçarin në zonën e Levanit.

Arrestimi ka ndodhur në rrethana të pazakonta. Sipas raportimeve, gjatë kontrollit të një automjeti, efektivët kanë gjetur të dyshuarin të fshehur në bagazh, duke i dhënë fund arratisjes së tij.

E kaluara e të dyshuarit në Britani

Në kuadër të hetimeve janë bërë publike edhe të dhëna mbi të kaluarën e Sokrat Vatës në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas raportimeve që i referohen BBC-së, 29-vjeçari ishte dënuar në vitin 2024 me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge. Ai kishte pranuar fajësinë për disa akuza, përfshirë posedimin e drogave të klasës A me qëllim shpërndarjen, drejtimin e rrezikshëm të automjetit, posedimin e kanabisit dhe drejtimin nën efektin e drogës.

Raportohet gjithashtu se Vata ishte përfshirë në dy ndjekje policore në Kent dhe Cambridge. Në njërin prej rasteve, autoritetet britanike dyshohet se kishin sekuestruar kokainë dhe targa automjetesh.

Ende nuk janë bërë të qarta rrethanat dhe koha e kthimit të 29-vjeçarit në Shqipëri pas dënimit të tij në Britani.

Ndërkohë, hetimet në Shqipëri vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e konfliktit, motivin e përplasjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë në ngjarjen që i mori jetën turistit të ri francez.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në Ksamil, veçanërisht gjatë sezonit turistik, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të krimit.

Published inNews Shqip