Shqipëria në protestë, Rama në Berlin me ekspozitën e tij të re: “Arti është mënyrë për të mos u çmendur”
Ndërsa në Shqipëri vijojnë protestat kundër qeverisë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të vijojë aktivitetin e tij artistik jashtë vendit. Ai ka prezantuar në Berlin ekspozitën e tij të re, “Chrysalizing”, ku shfaq skulptura prej bronzi të frymëzuara nga pikturat e tij.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “El País”, Rama ka folur gjerësisht për jetën e tij mes politikës dhe artit, vitet e diktaturës, karrierën si artist, transformimin e Tiranës gjatë kohës që drejtonte bashkinë dhe mënyrën se si vazhdon të krijojë edhe gjatë mbledhjeve qeveritare.
“Arti është një përpjekje për të mos u çmendur, sepse politika mund të jetë çmenduri”, është shprehur Rama, duke shtuar se arti e ndihmon të përballojë presionin dhe tensionin e politikës.
Nga piktura te skulptura
Rama ka treguar se kalimi nga piktura drejt skulpturës ka ardhur gradualisht. Sipas tij, skulpturat e ekspozuara në Berlin kanë nisur si piktura dhe më pas janë transformuar përmes teknologjisë.
“Përmes inteligjencës artificiale krijoj një model dixhital dhe më pas bëj një printim 3D. Në fund punoj me dorë”, ka deklaruar ai.
Ekspozita “Chrysalizing” përfaqëson këtë transformim artistik dhe përmban vepra me forma zoomorfe, të cilat nuk i përkasin ndonjë klasifikimi të caktuar biologjik.
Vitet e diktaturës dhe ëndrra për të parë artin botëror
Kryeministri ka folur edhe për vitet e studimit në Akademinë e Arteve gjatë regjimit komunist. Ai e ka cilësuar shkollën si shumë solide nga ana profesionale, por pa liri artistike.
“Ekzistonte vetëm realizmi socialist dhe pikë”, është shprehur Rama.
Ai ka kujtuar gjithashtu se historia e artit në Akademi, kur përfundoi studimet në vitin 1986, ndalej te Gustave Courbet, ndërsa veprat moderne konsideroheshin të papranueshme.
Paralelisht me artin, Rama luante edhe basketboll dhe thotë se sporti ishte një nga mënyrat e pakta për të udhëtuar jashtë Shqipërisë.
Në një udhëtim në Vjenë, ai tentoi të vizitonte Muzeun e Historisë së Artit, por gjeti dyert të mbyllura. Pesë vite më vonë, gjatë një udhëtimi tjetër, arriti të vizitonte Galerinë e Arteve në Bremen.
Nga Parisi në politikë
Pas rënies së komunizmit, Rama u zhvendos në Paris dhe vazhdoi aktivitetin artistik. Në vitin 1998 iu ofrua posti i ministrit të Kulturës, duke nisur kështu përfshirjen e tij në politikë.
Më pas, në vitin 2000, mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës, ku qëndroi për një dekadë.
Rama ka kujtuar edhe transformimin vizual të kryeqytetit, veçanërisht fasadat shumëngjyrëshe të ndërtesave të periudhës komuniste.
Sipas tij, Tirana në atë kohë ishte në gjendje të rënduar, me mungesë ndriçimi, ndërtime pa leje dhe hapësira publike të degraduara.
“Arti nuk duhet të përzihet me politikën”
Pavarësisht se vetë është njëkohësisht politikan dhe artist, Rama ka argumentuar se arti nuk duhet të përdoret për qëllime politike.
“Politika nuk duhet të përzihet me artin”, ka deklaruar ai, duke shtuar se arti nuk ka për detyrë të ndryshojë botën, por të ndryshojë perspektivën e njerëzve.
Ai ka folur edhe për situatën ndërkombëtare, duke thënë se ndihet me fat që Shqipëria është një vend i vogël dhe se nuk është në pozicionin për të marrë vendime të mëdha që ndikojnë gjithë planetin.
Pikturat në zyrën e kryeministrit
Aktiviteti artistik i Ramës është i pranishëm edhe në zyrat e Kryeministrisë. Ai ka treguar se shpesh krijon piktura gjatë mbledhjeve, konferencave dhe takimeve zyrtare.
Sipas tij, kjo është një mënyrë për të “tretur helmin e politikës”.
Rama ka kundërshtuar gjithashtu idenë se artistët janë domosdoshmërisht njerëz të mirë, ndërsa politikanët të këqij.
“Artistët mund të jenë të këqij dhe politikanët mund të jenë engjëj”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se nuk ua shet veprat e tij shqiptarëve apo personave që kanë biznese në Shqipëri, ndërsa blerësit potencialë verifikohen nga galeritë me të cilat bashkëpunon.
Ndërkohë, veprat e tij janë vendosur edhe në ambientet e Kryeministrisë, ku janë parë nga liderë të ndryshëm botërorë.
Rama ka rrëfyer me humor edhe një episod me një lider të huaj, i cili, pasi pa pikturat në mure, e pyeti se ku ishte zyra e tij. Kur Rama i shpjegoi se ato ishin veprat e tij artistike, lideri e pyeti nëse ky ishte vendi ku kujdeseshin për fëmijët e punonjësve.
“Jo, i vetmi fëmijë që është këtu jam unë”, ka qenë përgjigjja e Ramës.
