URDHËR URGJENT PËR EVAKUIMIN E BANORËVE NË PUKË! Ja masat që janë marrë
Për shkak të përkeqësimit të situatës nga zjarri, Bashkia e Pukës ka nxjerrë një urdhër urgjent për evakuimin dhe strehimin e banorëve të prekur.
Në procesin e evakuimit do të angazhohen Policia e Shtetit, ndërsa nëse do të jetë e nevojshme, do të kërkohet edhe mbështetja e Forcave të Armatosura.
Bashkia e Pukës do të koordinojë strehimin e personave të evakuuar dhe ofrimin e ndihmës, në bashkëpunim me:
Policinë e Shtetit;
Njësinë e Kujdesit Shëndetësor dhe Spitalin Rajonal të Pukës;
Kryqin e Kuq Shqiptar;
Organizatat partnere të ndihmës humanitare.
Të gjithë personat e evakuuar do të regjistrohen në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm në Konviktin “Ali Bytyçi”.
Autoritetet do të sigurojnë nevojat bazë të qytetarëve, përfshirë ushqim, veshmbathje, mjete higjienike dhe ndihmë të shpejtë apo kujdes mjekësor.
Gjithashtu, banorët do të informohen në mënyrë periodike për situatën e zjarrit dhe për masat që do të merren lidhur me rikthimin e sigurt në banesa.
Urdhri është në fuqi menjëherë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zbatojnë udhëzimet e emergjencës dhe të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat në nevojë.
Kryetari i Bashkisë Pukë
Shkëlqim Dodaj
