Pamjet e kamerave zbardhin minutë pas minute përplasjen në Ksamil, si u fut 20-vjeçari në det për t’u shpëtuar goditjeve
Duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, Prokuroria e Sarandës ka rindërtuar minutë pas minute ngjarjen e rëndë ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendez në Ksamil.
Sipas dosjes hetimore, përplasja nisi në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit 2026. Pamjet tregojnë lëvizjet e personave të përfshirë dhe momentet e përleshjes.
Në orën 05:14:24, nga ambientet e lokalit “Principotes” dalin disa persona dhe qëndrojnë në pjesën me rërë pranë ambienteve të jashtme të subjektit “Paradise”. Mes tyre identifikohen Ibrahim Lemoie, Sudae Akhmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes, i cili kishte veshur një bluzë të bardhë.
Rreth një minutë më vonë, në 05:15:22, nga ana e parkimit jugor të “Principotes” afrohen David Gjana alias Heurtevent dhe Sokrat Lipan alias Vata.
Në 05:16:39, Sokrat Lipan shihet duke u shtyrë me një person të veshur me të bardha. Pas përplasjes, ai largohet drejt shezlloneve. Pak sekonda më vonë, në 05:16:47, ai ndjek personin në drejtim të parkimit.
Në 05:16:54, Sokrat Lipan kthehet me vrap drejt Ibrahim Lemoie, i cili përplaset me shezllonet dhe bie në tokë. Sipas pamjeve të administruara në dosje, Lipan e godet atë.
Në 05:17:14, Luis Mendes afrohet dhe shtyn me trup Sokrat Lipanin, duke e rrëzuar në tokë. Pas ngritjes, Lipan i afrohet Mendes dhe nis ta godasë.
Në 05:17:20, David Heurtevent i bashkohet Sokrat Lipanit dhe të dy godasin Luis Mendes. Në këtë moment ndërhyn Sudae Akhmat për të ndihmuar Mendes dhe godet Lipanin.
Përleshja vijon edhe në sekondat në vazhdim. Në intervalin 05:17:35–05:17:46, Serxhi Selimi godet Ibrahim Lemoie, ndërsa Luis Mendes, në përpjekje për t’u larguar nga goditjet që po merrte, futet me nxitim në det.
Në 05:17:53, Mendes del nga ana jugore e plazhit dhe afrohet pranë zonës ku ndodhen kamarierët. Sipas dosjes, ai goditet me grushte nga Serxhi Ademi dhe shtyhet sërish drejt detit.
Vetëm 11 sekonda më vonë, në 05:18:04, Luis Mendes del nga uji dhe ecën drejt shezlloneve të plazhit “Paradise”. Në pamje dallohet se bluza e tij e bardhë është e gjakosur.
Në 05:18:24, David Heurtevent largohet drejt ambienteve të brendshme të “Principotes”. Në pamje, ai dallohet me njolla gjaku në pjesën e përparme të veshjeve.
Ndërsa në 05:20:28, largohet edhe Sokrat Lipan alias Vata. Edhe ai shfaqet me bluzën e bardhë të gjakosur, ndërsa pas tij shihet kamarieri Igli Cekani, i cili e shoqëron në drejtim të lokalit “Principotes”.
Pamjet e kamerave janë pjesë e materialit hetimor me të cilin Prokuroria e Sarandës ka rindërtuar dinamikën e përplasjes dhe lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.
