Skip to content

E fortë! Paralajmërimi: “Do mbyllim kufijtë, do të dalim nga Schengeni”

Dalja e Gjermanisë nga Zona Schengen dhe eurozona, mbyllja e kufijve dhe një politikë më e ashpër ndaj emigracionit janë ndër qëndrimet e Alternativës për Gjermaninë (AfD), e cila po shënon rritje të mbështetjes në sondazhet kombëtare.

Në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, deklaroi se Gjermania ishte në një gjendje më të mirë ekonomike përpara futjes së euros. Sipas saj, monedha e përbashkët evropiane ka ndikuar negativisht në ekonominë gjermane dhe në pasurinë e familjeve.

Weidel u shpreh gjithashtu për një politikë shumë më të ashpër ndaj emigracionit, duke deklaruar: “Do t’i mbyllim kufijtë dhe do të dalim nga Schengeni.”

Liderja e AfD-së kërkoi shtimin e dëbimeve të emigrantëve dhe kufizimin e natyralizimeve. Ajo përmendi edhe kthimin e shtetasve sirianë, të cilëve u ka përfunduar ose nuk u njihet më statusi i mbrojtjes.

Weidel kritikoi edhe CDU-në për qëndrimin kundër bashkëpunimit me AfD-në, duke deklaruar se partia e saj synon të marrë pushtetin fillimisht në landet federale dhe më pas edhe në nivel kombëtar.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur AfD po rritet në sondazhe. Sipas ZDF Politbarometer, partia renditet me 27% mbështetje në nivel kombëtar, përpara bllokut CDU/CSU, që qëndron në 22%. Ndërkohë, në prag të zgjedhjeve të 6 shtatorit në landin e Saksoni-Anhaltit, AfD raportohet se mbështetet nga më shumë se 40% e të anketuarve.

AfD është përballur edhe me vëmendje të shtuar nga autoritetet gjermane për shkak të akuzave lidhur me ekstremizmin. Në maj 2025, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) e klasifikoi partinë si organizatë të konfirmuar të ekstremit të djathtë. Megjithatë, në shkurt të këtij viti, Gjykata Administrative e Këlnit e ndaloi përkohësisht BfV-në që ta trajtojë AfD-në me këtë klasifikim, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Gjykata vlerësoi se ekzistojnë tregues të fortë për prirje antikushtetuese brenda partisë, por se ende nuk është provuar se këto prirje karakterizojnë AfD-në në tërësi.

Published inNews Shqip