Rama zbulon planin e qeverisë për çmimet e ushqimeve: “Do të ketë më shumë transparencë”
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar disa nga prioritetet e qeverisë pas takimit me anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe drejtuesit e agjencive në Pogradec.
Gjatë një komunikimi live në Facebook, Rama u ndal te disa prej çështjeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke përmendur shëndetësinë, arsimin, cilësinë e jetës dhe çmimet e produkteve bazë.
Në lidhje me çmimet e ushqimeve, kryeministri bëri të ditur se qeveria po harton një plan që synon të rrisë transparencën në treg dhe t’u mundësojë qytetarëve të kenë më shumë informacion mbi çmimet e produkteve bazë.
Rama theksoi se ndërhyrja e qeverisë nuk do të jetë përmes përcaktimit administrativ të çmimeve, pasi vendi funksionon në kushtet e një ekonomie të lirë tregu.
“Kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, detajet e planit do të bëhen publike pasi të përfundojë konsolidimi i tij dhe të përcaktohen mekanizmat konkretë për zbatimin.
Rama foli edhe për objektivin e qeverisë për ndërtimin e një “Shqipërie sociale”, ku vëmendja do të përqendrohet gjithnjë e më shumë te shëndetësia, arsimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës.
Ai tha se zhvillimi ekonomik dhe rritja e mundësive për qytetarët krijojnë hapësirë për një qasje të re në qeverisje, duke e përshkruar këtë si një kalim nga fokusi te mbijetesa drejt përmirësimit të standardit të jetesës.
Plani për rritjen e transparencës së çmimeve pritet të prezantohet në vijim, pasi qeveria të ketë përcaktuar të gjitha detajet dhe mënyrën e zbatimit të tij.
