Skip to content

Gushti surprizon me motin/ Temperaturat shkojnë pranë 40°C, por priten edhe rrebeshe të papritura

Java e fundit e gushtit sjell temperatura të larta, ja si pritet të ndryshojë moti gjatë ditëve në vijim

Java e fundit e muajit gusht pritet të karakterizohet nga temperatura të larta, ndërsa moti do të jetë përgjithësisht i qëndrueshëm, por me disa ndryshime të herëpashershme gjatë ditëve.

E marta nis me mot kryesisht të kthjellët, ndërsa gjatë pasdites pritet shtim gradual i vranësirave. Në disa zona, veçanërisht në veriperëndim, veri dhe verilindje, mund të ketë reshje të shkurtra shiu. Temperaturat do të mbeten në nivele të larta.

Të mërkurën do të ketë alternime mes diellit dhe vranësirave. Në zona të veçanta nuk përjashtohen reshje të izoluara, ndërsa temperaturat pritet të shënojnë një rënie të lehtë.

Gjatë së enjtes dhe së premtes moti do të jetë kryesisht i kthjellët dhe me diell. Temperaturat do të rikthehen në rritje graduale, duke sjellë sërish një situatë të nxehtë.

Ndryshimi më i rëndësishëm pritet të vijë të shtunën. Pjesa e parë e ditës do të jetë kryesisht me diell, ndërsa gjatë pasdites pritet afrimi i një sistemi me reshje dhe shkarkesa elektrike. E shtuna mund të jetë dita më e nxehtë e javës, me mundësi që temperaturat të arrijnë vlera rekord për këtë vit. Pas kalimit të reshjeve, temperaturat pritet të bien.

Të dielën moti do të jetë i alternuar mes kthjellimeve dhe vranësirave, ndërsa në zona të caktuara mund të shfaqen reshje të dobëta dhe të izoluara. Temperaturat do të pësojnë një tjetër ulje të lehtë.

Pluhuri saharian rikthehet

Gjatë gjithë javës pritet të ketë prani të grimcave të pluhurit saharian. Përqendrimi i tyre pritet të rritet nga e premtja dhe gjatë fundjavës, duke bërë që qielli të duket më i turbullt. Në zonat ku do të ketë reshje, nuk përjashtohet mundësia që ato të shoqërohen me baltë.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme dhe herë pas here mund të forcohet, me shpejtësi nga 15 deri në 47 km/h.

Temperaturat minimale parashikohet të luhaten nga 15°C deri në 21°C, ndërsa temperaturat maksimale do të variojnë nga 32°C deri në 39°C.

Marrë nga parashikimi i MeteoKosova.

Published inNews Shqip