Titulli: Moti i nxehtë vijon në Shqipëri, meteorologia: Vjeshta vonon, freskimi pritet pas 20 shtatorit
Stina e vjeshtës pritet të vonojë në Shqipëri, pasi temperaturat e larta do të vijojnë të mbizotërojnë edhe gjatë ditëve të para të shtatorit.
Meteorologia Tanja Porja ka paralajmëruar se deri në fund të gushtit temperaturat mund të arrijnë deri në 36°C, vlera të konsiderueshme për periudhën kur vendi pritet t’i afrohet vjeshtës.
Sipas saj, edhe java e parë e shtatorit do të karakterizohet nga mot i ngrohtë, me temperatura që pritet të luhaten rreth 34-35°C. Këto vlera janë disa gradë mbi normalen për këtë periudhë të vitit.
Porja theksoi se 15 ditët e para të shtatorit do të kenë më shumë karakter veror sesa vjeshtor, duke krijuar kushte ende të përshtatshme për plazh.
Një ndryshim i lehtë i temperaturave pritet gjatë gjysmës së dytë të shtatorit, ndërsa freskimi më i ndjeshëm mund të nisë pas datës 20 shtator.
