I riu goditi me tullë policen dhe e la pa ndjenja, në dëshminë e tij tregon arsyen
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 25-vjeçarin Vehap Tota, i cili më 21 gusht 2026 sulmoi me tullë një punonjëse policie, duke e goditur në shpinë dhe duke e rrëzuar pa ndjenja në oborrin e banesës së tij.
Sipas raportimit të gazetarit Elton Qyno për Syri TV, pas arrestimit Tota ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se ishte i tensionuar dhe i mërzitur pasi nuk kishte para për të blerë kanabis, ndërsa më pas kishte reaguar dhunshëm ndaj efektivëve të policisë.
“Është e vërtetë se unë kam qëlluar policen me tullë nga pas. Kjo pasi nuk kisha pirë hashash, isha i mërzitur dhe nuk kisha lekë. Ashtu ma dha truri dhe ashtu bëra. Kam marrë një tullë dhe e kam qëlluar policen nga pas. Po ashtu kam kundërshtuar policët, pasi kam qenë shumë i tensionuar dhe inatin ua kam nxjerrë atyre. Tashmë jam penduar, por më kot, pasi është vonë”, ka deklaruar 25-vjeçari.
Ngjarja ka ndodhur pasi policia kishte shkuar në banesën e Totës për të shoqëruar bashkëjetuesen e tij, Audeta Tahiri. Kjo e fundit dyshohej nga policia kriminale për përfshirjen në djegien e automjetit të shtetasit L. Hoti, banues në të njëjtën zonë me Totën.
Rreth orës 18:00, dy punonjës të patrullës policore, M.D. dhe A.P., janë dërguar në rrugën “Paqësori”, në Frutikulturë, Kamëz, me qëllim shoqërimin e Tahirit, e cila dyshohej për ngjarjen e ndodhur më 18 gusht.
Gjatë ndërhyrjes në banesë, Tota u ka thënë efektivëve se “nuk është vajza që kërkoni”. Pas kontrolleve dhe zhvillimit të situatës në banesë, policia ka vendosur ta shoqërojë edhe atë në komisariat, pasi dyshohej për përfshirje në ngjarjen e djegies së automjetit.
Në këtë moment, 25-vjeçari ka kundërshtuar efektivët dhe ka nisur t’i sulmojë duke përdorur gurë dhe tulla. Një prej tullave ka goditur punonjësen e policisë M.D. në pjesën e shpinës, duke e rrëzuar në tokë dhe duke e lënë pa ndjenja.
Efektivja është transportuar me urgjencë me ambulancë drejt Spitalit të Traumës, ndërsa Audeta Tahiri dhe Vehap Tota janë arrestuar nga policia.
Sipas dëshmisë së tij, Tota ka shprehur pendesë për veprimet, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
