Ish-ambasadori Agim Nesho ka komentuar protestat e zhvilluara prej disa muajsh kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se kryeministri ndodhet në fundin e tij politik.
Në një intervistë për News24, Nesho u shpreh se Rama është i vetëdijshëm për situatën ku ndodhet dhe se po përpiqet të gjejë një rrugëdalje. Sipas tij, pakënaqësia nuk është e pranishme vetëm te qytetarët shqiptarë, por ka nisur të dëmtojë edhe besimin e faktorëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë.
“Unë Ramën e mëshiroj dhe shikoj se ka marrë fund. Në një kohë kur populli është ngritur në rrugë kundër një regjimi të drejtuar prej tij, por edhe të falimentuar, e shikoj në fundin e tij”, deklaroi ish-ambasadori.
Nesho paralajmëroi gjithashtu se muaji shtator mund të sjellë zhvillime të rëndësishme, duke pretenduar se Shqipëria mund të përballet me presion dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar.
“Ngjarjet e shtatorit do të precipitojnë, pasi do të ketë goditje nga komuniteti ndërkombëtar. Kemi arritur në një pikë ku jo vetëm Rama është diskretituar brenda vendit, por është krisur edhe besimi i komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.
Duke iu referuar politikës së jashtme të qeverisë, Nesho kritikoi mënyrën se si, sipas tij, Rama ka menaxhuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, duke e akuzuar se ka vendosur interesat e mbijetesës politike mbi interesat e vendit.
Sipas ish-ambasadorit, protestat e vazhdueshme dhe reagimi i qytetarëve mund të ndikojnë në qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj situatës politike në Shqipëri.
“Besimi është krisur jo vetëm këtu, por edhe në komunitetin ndërkombëtar. Kur populli del në rrugë, ndërkombëtarët reflektojnë”, përfundoi Nesho.
