Temperaturat e larta vijojnë, reshjet nuk sjellin freskinë e pritur
Pas ditëve të gjata me vapë dhe mungesë reshjesh, një rrebesh i shkurtër përfshiu kryeqytetin mëngjesin e së mërkurës. Megjithatë, shiu nuk solli ndryshimin e madh të temperaturave që pritej, ndërsa kushtet atmosferike do të vijojnë të jenë të paqëndrueshme.
Parashikimet meteorologjike tregojnë se gjatë ditëve në vijim kthjellimet do të alternohen me vranësira. Në disa zona priten reshje të dobëta dhe rrebeshe të izoluara, por ky episod do të jetë i përkohshëm.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshjet pritet të tërhiqen nga territori gjatë së enjtes, duke i lënë sërish vend motit të nxehtë dhe kryesisht të qëndrueshëm.
Pavarësisht reshjeve, temperaturat nuk pritet të pësojnë rënie. Përkundrazi, në zonat e ulëta, termometri mund të ngjitet deri në 35°C, duke vijuar serinë e ditëve të nxehta.
Edhe orët e natës do të mbeten të ngrohta. Në zonat bregdetare, temperaturat minimale mund të arrijnë deri në 23°C. Era do të fryjë me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në det pritet një dallgëzim i lehtë, rreth 2–3 ballë.
Ndërkohë, temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve vijojnë të mbajnë të lartë edhe rrezikun për përhapjen e zjarreve.
Instituti i Gjeoshkencave ka sinjalizuar rrezik të shtuar për zjarre në disa zona, përfshirë qarqet e Fierit dhe Gjirokastrës, pjesë të Dibrës, zonat në lindje të Durrësit dhe Tiranës, territore në veri dhe perëndim të Vlorës, si edhe zona në veri dhe jug të Korçës.
Sipas tendencave të fundit meteorologjike, gushti pritet të mbyllet me temperatura mbi normalen, ndërsa vala e të nxehtit mund të vijojë edhe në ditët e para të shtatorit.
