Skip to content

Vrasja e rëndë në Prizren, kërkohen 30 ditë paraburgim për 81-vjeçarin e dyshuar

Prokuroria Themelore në Prizren i ka kërkuar Gjykatës Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për Bardh Dushin, 81 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja tragjike ka ndodhur më 26 gusht 2026, rreth orës 00:05, në banesën e familjes në Prizren. Dyshohet se gjithçka ka nisur pas një konflikti verbal mes 81-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij, Liza Dushit, 80 vjeçe.

Në bazë të dyshimeve të ngritura nga organi i akuzës, Bardh Dushi e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe e ka goditur disa herë, duke i përplasur kokën në dysheme. Për shkak të plagëve të marra, 80-vjeçarja ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Prokuroria dyshon gjithashtu se pas ngjarjes, i dyshuari ka tentuar të largojë ose fshehë gjurmët, përpara se të njoftonte familjarët për atë që kishte ndodhur.

Emri i të dyshuarit është raportuar ekskluzivisht nga Sinjali.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të dëshmohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published inNews Shqip