Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Mekën, duke krijuar pamje spektakolare në qiellin e qytetit të shenjtë mysliman. Në kulmin e motit të keq, një rrufe ka goditur Kullën ikonike të Sahatit, duke ndriçuar për disa çaste qiellin e errët.
Momenti i veçantë është kapur nga fotografi Youssef Badjas, i cili publikoi pamjet në platformën X, duke e cilësuar mbrëmjen si “të paharrueshme”. Në video, rrufeja shfaqet me intensitet të madh pas kullës, ndërsa mbi Mekë duken retë e dendura të stuhisë.
Pamje të tjera të fenomenit janë publikuar edhe nga astronomi saudit Mulham Hindi. Sipas tij, muajt gusht dhe shtator janë periudha kur stuhitë janë më të zakonshme në Mekë dhe në pjesën perëndimore të Arabisë Saudite.
Moti i paqëndrueshëm ka prekur edhe zonën përreth Xhamisë së Madhe, ku pelegrinët dhe besimtarët janë parë duke kryer namazin e Jacisë nën shi.
Me një lartësi prej rreth 601 metrash, Kulla e Sahatit është një nga strukturat më të dallueshme të Mekës. Për shkak të lartësisë së saj, ajo u bë edhe protagoniste e pamjeve spektakolare të stuhisë.
Videoja e momentit kur rrufeja ndriçon kullën është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve.
