Pas vendimit ndaj Ilir Shaqirit, një tjetër situatë e tensionuar ka përfshirë shtëpinë e “Ferma VIP”, ku kësaj radhe në qendër të vëmendjes janë Mimoza Ahmeti dhe Zhaku.
Gjatë spektaklit, moderatorja Arbana Osmani lexoi zarfin e ardhur nga Agai, ku bëhej e ditur se dy konkurrentet do të përballen me masa të reja disiplinore për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm të rregullave dhe refuzimit për të marrë pjesë në sfidat e caktuara.
Sipas vendimit të produksionit, Moza dhe Zhaku janë dërguar në ambientin e fakirit, ku do të qëndrojnë të izoluara deri të premten, nën kushte më të forta se më parë. Ato nuk do të kenë asnjë kontakt me fermerët e tjerë, përveç rasteve kur kërkohet gjatë sfidave të organizuara nga Agai.
Produksioni theksoi se rregullat dhe detyrat në fermë janë të detyrueshme për të gjithë banorët dhe se çdo shmangie cenon frymën e lojës dhe formatit televiziv.
Një paralajmërim i prerë iu dha edhe pjesës tjetër të fermerëve: çdo tentativë për të komunikuar me Mozën apo Zhakun gjatë izolimit mund të sjellë përjashtim të menjëhershëm nga gara.