Skip to content

Aksident masiv në Bullgari, mbi 50 automjete përplasen në autostradë: Raportohet për të paktën 7 viktima

Aksident masiv në Bullgari, 7 viktima dhe dhjetëra të plagosur nga përplasja e mbi 50 automjeteve

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti masiv zinxhir në autostradën “Trakia”, pranë qytetit të Jambolit në Bullgari. Në përplasjet e njëpasnjëshme janë përfshirë mbi 50 automjete, mes tyre vetura dhe kamionë, raporton NOVA.

Autostrada është bllokuar në të dy drejtimet, ndërsa ekipet e emergjencës po zhvillojnë operacione intensive për nxjerrjen e personave të bllokuar në automjete.

Aksidenti ka ndodhur të martën në mëngjes, në segmentin ndërmjet nyjeve rrugore “Zimnica” dhe “Kabile”, në kushte të mjegullës së dendur dhe dukshmërisë së reduktuar, raportojnë mediat bullgare.

Sipas kryeinspektorit Todor Mishinev nga policia e Jambolit, në mesin e automjeteve të përfshira në përplasje ndodhen edhe cisterna.

“Ka persona të bllokuar në automjete. Për momentin, prioritet janë operacionet e shpëtimit. Pas përfundimit të tyre, do të zhvillohen edhe hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, deklaroi Mishinev.

Ndërkohë, shtatë persona të plagosur janë dërguar në spitalin e Jambolit. Zëvendësdrejtori i këtij institucioni, Valentin Valçev, bëri të ditur se pacientët ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, me lëndime të shumta, dhe po trajtohen në dhomën e shokut.

Për përballimin e situatës janë mobilizuar të gjitha ekipet e disponueshme të reanimacionit, kirurgjisë dhe traumatologjisë.

Meqë spitali nuk disponon repart të neurokirurgjisë, pacientët që do të kenë nevojë për ndërhyrje të specializuara në këtë fushë do të transferohen në institucione të tjera shëndetësore.

Operacionet e shpëtimit dhe trajtimi i të plagosurve po vazhdojnë, ndërsa autostrada “Trakia” mbetet e mbyllur në të dy drejtimet.

Published inNews Shqip