Një aksident fatal është shënuar pasditen e sotme në aksin rrugor Fier–Seman, në zonën e njohur si Fermë-Çlirim.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet është përplasur me një biçikletë. Si pasojë e goditjes së fortë, drejtuesi i biçikletës, rreth 65 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.
Menjëherë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ambulanca, forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.