Një aksident i rëndë i ka marrë jetën një 15-vjeçari në zonën e Pezë-Helmesit, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 29 shtatorit, rreth orës 22:10.
Sipas të dhënave paraprake, adoleshenti kishte marrë pa lejen e prindërve automjetin e të atit dhe kishte dalë në rrugë së bashku me një bashkëmoshatar. Gjatë lëvizjes, 15-vjeçari ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përplasur me skarpatën anësore të rrugës dhe më pas është përmbysur.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i automjetit ka humbur jetën. Pasagjeri, 16 vjeç, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar për ndihmë mjekësore. Sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në aksident.
Në njoftimin zyrtar thuhet se 15-vjeçari drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe se humbi kontrollin e tij, duke përfunduar në përplasjen me skarpatën dhe më pas në përmbysjen e mjetit.
