Shërbimi i transportit urban në Tiranë rrezikon të përballet me kufizime serioze, madje edhe me një bllokim të mundshëm duke nisur nga dita e hënë. Paralajmërimi vjen nga operatorët e sektorit, të cilët theksojnë se po përballen me vështirësi të mëdha financiare që rrezikojnë vijimësinë e linjave të autobusëve.
Sipas aktivistit dhe përfaqësuesit të sektorit, Kostandin Foni, situata është përkeqësuar për shkak të mungesës së reagimit nga institucionet përkatëse, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të shoqatave të transportit, sidomos pas rritjes së çmimeve të karburanteve.
Ai theksoi se java e ardhshme do të jetë vendimtare për fatin e transportit urban në kryeqytet, duke paralajmëruar se në mungesë të një zgjidhjeje emergjente, mund të ketë ndërprerje të shërbimit, çka do të ndikonte drejtpërdrejt në lëvizjen e përditshme të qytetarëve.
“Situata ka ardhur si pasojë e mungesës së reagimit nga institucionet përgjegjëse. Ne, si shoqatë, kemi ndjekur të gjitha hapat e nevojshëm për të ngritur zërin tonë dhe për të shmangur këtë pikë kritike,” u shpreh Foni.
Ai shtoi se operatorët ndodhen përballë një zgjedhjeje të vështirë: të sigurojnë pagat e punonjësve ose të furnizohen me karburant për të vijuar shërbimin.
“Jemi ulur në tryezë dhe kemi kërkuar mbështetje nga institucionet, përfshirë riaktivizimin e paketës së emergjencës dhe kompensimin për rritjen e çmimit të karburantit. Aktualisht, punonjësit nuk kanë marrë ende pagat e muajit shkurt, ndërkohë që kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm,” deklaroi ai për “News 24”.