Skip to content

Alarm për lëndë plasëse në Tiranë, zbardhen detajet e ngjarjes

Alarm për bombë në disa institucione, Policia zbardh detajet: Kërcënimi rezultoi i rremë

Mëngjesin e kësaj të enjteje, qindra qytetarë kanë marrë në celularët e tyre e-maile me përmbajtje kërcënuese, duke shkaktuar shqetësim dhe panik. Në mesazhe pretendohej se në disa institucione, kryesisht në sektorin shëndetësor dhe shërbime të ndryshme, ishin vendosur lëndë eksplozive.

Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë pas marrjes së njoftimeve, duke sqaruar se bëhet fjalë për një alarm të rremë. Strukturat policore kanë nisur kontrollet në institucionet e përmendura në kërcënime dhe, deri në këto momente, nuk është konstatuar prania e ndonjë bombe apo lënde tjetër shpërthyese.

Sipas Policisë, e-mailet janë dërguar nga një adresë ende e paidentifikuar dhe kanë pasur përmbajtje kërcënuese dhe terroriste. Mesazhet kanë mbërritur në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit.

Për zbardhjen e rastit janë angazhuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, Drejtoria e Antiterrorit dhe struktura të tjera ligjzbatuese. Hetimet po vijojnë për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë nisur kërcënimet.

Policia u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se deri tani nuk ka rezultuar asnjë rrezik real nga vendosja e lëndëve plasëse. Strukturat përkatëse po vijojnë verifikimet dhe masat për garantimin e sigurisë publike.

Published inNews Shqip