Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një zgjerim të ndjeshëm të politikës së tij lidhur me kufizimet e vizave, duke vënë në shënjestër individët që, sipas tij, veprojnë në emër të kundërshtarëve të SHBA-së për të minuar interesat amerikane në Hemisferën Perëndimore.
Ky zhvillim është bërë i ditur edhe nga Ambasada e SHBA-së përmes një reagimi urgjent, ku theksohet se masat do të shtrëngohen ndaj personave të përfshirë në aktivitete që konsiderohen kërcënuese për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Sipas raportimeve, autoritetet amerikane kanë ndërmarrë hapa konkretë për vendosjen e kufizimeve ndaj 26 individëve, megjithatë identitetet e tyre nuk janë bërë publike dhe nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi aktivitetet përkatëse.
Këto masa përfshijnë shpalljen e individëve dhe familjarëve të tyre si të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Në njoftim theksohet se ndër aktivitetet që mund të çojnë në kufizime përfshihen: ndihma ndaj fuqive kundërshtare për të kontrolluar burime strategjike, destabilizimi i sigurisë rajonale, dëmtimi i interesave ekonomike amerikane, si dhe operacione ndikimi që cenojnë sovranitetin e vendeve në rajon.
Politika lidhet edhe me një qasje më të ashpër të administratës së Presidentit Donald Trump ndaj çështjeve të emigracionit dhe sigurisë kombëtare. Ajo mbështetet në autoritetet që rrjedhin nga Akti i Imigracionit dhe Kombësisë, i cili lejon kufizimin e hyrjes për shtetas të huaj nëse konsiderohet se paraqesin rrezik për politikën e jashtme të SHBA-së.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të gjerë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në politikat e sigurisë në rajon, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat e radhës të autoriteteve amerikane.