Skip to content

Ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët në Kosovë/ Ja çfarë duhet të kenë parasysh para 16 shtatorit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka publikuar një njoftim për demonstratat e paralajmëruara për të mërkurën, më 16 shtator, ditë kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

 

Sipas njoftimit të Ambasadës, disa organizata kanë paralajmëruar protesta të mëdha në qendër të Prishtinës, ndërsa tubime pritet të zhvillohen edhe në qytete të tjera të Kosovës.

 

Për shkak të numrit të mundshëm të pjesëmarrësve, autoritetet amerikane kanë paralajmëruar për bllokime të rrugëve dhe vështirësi të konsiderueshme në qarkullim. Qytetarëve u është rekomanduar të shmangin zonat ku priten grumbullimet dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

 

Në njoftim thuhet se personat që jetojnë apo punojnë pranë zonave të prekura duhet të marrin në konsideratë kufizimin e lëvizjeve. Gjithashtu, këshillohet që udhëtimet drejt punës apo shkollës të shmangen nëse itinerari kalon nëpër zonat ku priten demonstratat, pasi mund të ketë vonesa dhe ndërprerje të qarkullimit.

 

Masa paraprake janë vendosur edhe për personelin e Qeverisë amerikane në Kosovë. Sipas Ambasadës, punonjësve u është kërkuar të shmangin udhëtimet që nuk janë të domosdoshme pranë zonave ku do të zhvillohen protestat.

 

Po ashtu, personelit amerikan i është rekomanduar që më 16 shtator të mos dërgojë fëmijët në shkollë, duke marrë parasysh mundësinë e bllokimeve të rrugëve dhe vështirësive në trafik.

 

Megjithatë, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se do të vijojë aktivitetin e saj edhe gjatë kësaj dite. Sipas njoftimit, institucioni do të qëndrojë i hapur, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në mënyrë të kufizuar, sipas nevojës.

 

Njoftimi vjen në prag të një dite me rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi më 16 shtator pritet të shpallet në Hagë vendimi i shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët kanë deklaruar pafajësinë ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre.

Published inNews Shqip