Skip to content

Tragjedi e rëndë! 44-vjeçarja humbi jetën nga bashkëshorti, pas vetes la tre fëmijë

Një tjetër tragjedi e rëndë ka tronditur një familje shqiptare në Greqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Rodopit, vetëm pak ditë pas një tjetër vrasjeje të rëndë në Nea Smyrni të Athinës.

 

Sipas raportimeve të mediave greke, një 53-vjeçar shqiptar dyshohet se ka sulmuar me thikë bashkëshorten e tij brenda banesës ku jetonin. Viktima, 44-vjeçarja Esma Meco, dhe bashkëshorti i saj, Bujar Meco, me origjinë nga Gramshi, ishin prindër të tre fëmijëve.

 

Gruaja ka pësuar plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në spital, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.

 

Pas ngjarjes, 53-vjeçari dyshohet se ka tentuar të dëmtojë veten duke konsumuar benzinë. Ai është gjetur nga autoritetet dhe është transportuar në spital, ku po merr trajtim mjekësor.

 

Policia është vënë në dijeni për krimin pas telefonatës së njërit prej fëmijëve të çiftit. Familja kishte tre fëmijë, dy prej të cilëve janë të rritur, ndërsa fëmija i tretë është 16 vjeç.

 

Gjatë hetimeve në banesë, autoritetet greke kanë sekuestruar dy thika. Mjetet e dyshuara të krimit pritet të analizohen nga ekspertët kriminalistikë për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të rrethanave.

 

Nga informacionet e publikuara deri tani rezulton se çifti kishte pasur probleme edhe në të kaluarën. Në vitin 2022, gjatë kohës që jetonin në Heraklion të Kretës, Esma Meco kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënim. Në atë periudhë, Bujar Meco ishte arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje.

 

Pavarësisht këtij episodi të mëparshëm, motivi dhe rrethanat e sakta që çuan në ngjarjen e fundit mbeten ende nën hetim. Autoritetet greke po punojnë për të rindërtuar dinamikën e konfliktit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në sulmin fatal.

 

Kjo ngjarje është regjistruar vetëm pak ditë pas një tjetër krimi të rëndë në Nea Smyrni të Athinës. Atje, 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuça dyshohet se vrau me armë zjarri partneren e tij 45-vjeçare, Julieta Obzova, dhe më pas i dha fund jetës.

 

Trupat e çiftit u gjetën në hyrje të pallatit ku banonte viktima, në rrugën “Grigoriou Kydonion”. 45-vjeçarja jetonte në atë apartament së bashku me vajzën e saj 16-vjeçare.

Published inNews Shqip