Pas përfundimit të mandatit të tij trevjeçar në Shqipëri, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, është larguar nga vendi përmes Portit të Durrësit, duke lënë pas një mesazh lamtumire të mbushur me reflektim për të ardhmen evropiane të shqiptarëve.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Gonzato ndau përshtypjet nga vitet e shërbimit diplomatik, kohë gjatë së cilës ka udhëtuar gjerësisht nëpër Shqipëri dhe është takuar me qytetarë që i ka përshkruar si punëtorë, ambiciozë dhe të zgjuar.
“Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë,” shkruan ai, duke vënë në dukje punën e përbashkët me kolegët për të mbështetur rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE, me fokus të veçantë te institucionet e forta e të pavarura, mbrojtja e shtresave në nevojë dhe respektimi i diversitetit.
Duke mbyllur këtë kapitull, diplomati europian la pas një paralajmërim simbolik dhe optimist për fatin e marrëdhënieve dypalëshe:
“Do të kthehem. Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri.”
Postimin e tij të fundit si ambasador në vendin tonë, Gonzato e përmbylli me fjalët: “Deri atëherë – mirupafshim, Shqipëri.”
Ambasadori i BE-së jep detajet: Çfarë pritet të ndryshojë së shpejti për qytetarët shqiptarë
Published inNews Shqip
