Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka përfunduar mandatin e tij trevjeçar në vendin tonë dhe është larguar nga Shqipëria përmes Portit të Durrësit.
Në një mesazh lamtumire të publikuar në rrjetet sociale, Gonzato ka ndarë disa nga kujtimet e tij gjatë viteve të shërbimit diplomatik në Shqipëri. Ai tregon se ka udhëtuar në zona të ndryshme të vendit dhe ka takuar qytetarë, të cilët i përshkruan si njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë.
Ambasadori europian thotë se gjatë qëndrimit të tij ka parë nga afër edhe vështirësitë me të cilat përballet vendi, por njëkohësisht edhe energjinë dhe vendosmërinë e shqiptarëve, që sipas tij e bëjnë të besojë në të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Gonzato thekson se gjatë mandatit, së bashku me ekipin e tij, ka punuar për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai vë në dukje rëndësinë e institucioneve të forta dhe të pavarura, mbrojtjes së personave më të cenueshëm dhe respektimit të diversitetit.
Në mesazhin e tij të largimit, ambasadori ka përcjellë edhe një frazë simbolike për të ardhmen e Shqipërisë në familjen europiane.
“Do të kthehem. Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri”, shkruan Gonzato.
Në fund, ai i drejtohet Shqipërisë me një mesazh të shkurtër lamtumire: “Deri atëherë – mirupafshim, Shqipëri.”
