Njohja e shenjave të para të një ataku në zemër mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes, ndaj kardiologët këshillojnë që asnjë simptomë e dyshimtë të mos neglizhohet.
Një nga shenjat më të njohura është dhimbja që përhapet në krahun e majtë, pasi nervat e zemrës dhe të këtij krahu janë të lidhur. Megjithatë, specialistët theksojnë se tek disa persona, veçanërisht gratë, dhimbja mund të shfaqet edhe në krahun e djathtë, shpatulla, shpinë ose nofull.
Përveç dhimbjes në krah, një atak në zemër mund të shoqërohet edhe me simptoma të tjera si:
- Presion, shtrëngim ose djegie në gjoks.
- Vështirësi në frymëmarrje.
- Djersë të ftohta.
- Marramendje ose ndjenjë të fikëti.
- Të përziera ose të vjella.
- Dhimbje që përhapet në qafë, nofull ose pjesën e sipërme të barkut.
- Lodhje e pazakontë, sidomos tek gratë.
Në disa raste, mund të shfaqet edhe një kollë e vazhdueshme pa shenja të një infeksioni, e cila mund të lidhet me probleme të zemrës dhe nuk duhet nënvlerësuar.
Mjekët theksojnë se çdo minutë ka rëndësi. Nëse ju ose dikush pranë jush përjeton këto simptoma, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore ose telefononi shërbimin e urgjencës.
Ruajtja e shëndetit të zemrës varet edhe nga parandalimi. Kontrollet e rregullta mjekësore, një ushqyerje e balancuar, aktiviteti fizik, shmangia e duhanit dhe menaxhimi i stresit janë ndër mënyrat më të mira për të ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.


Be First to Comment