Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale, ndërsa përgatitet për fjalimin që do të mbajë nesër në mbledhjen e përbashkët të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Qeverisë.
Në video dëgjohen në sfond thirrjet e protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij, ndërsa Rama, me tone ironike, i cilëson ato si “kënga ime e preferuar”, duke kënduar edhe refrenin: “Rama, jep dorëheqjen”.
“Përshëndetje! Nuk e di nëse e dëgjoni, kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër, për mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe të Qeverisë. Shihemi nesër paradite, mbledhja nis në orën 09:30”, shprehet ai në videomesazh.
Në përshkrimin e postimit, kreu i qeverisë shkruan: “Mirëmbrëma nga Tirana e kontradiktave. Zhurmë, shumë zhurmë. Përgatitje me audio live nga bulevardi. Kush ka interes, nesër paradite do të jem me ju.”
Në ekranin e kompjuterit të Ramës shihet edhe një pjesë e fjalimit që pritet të mbajë, ku ai u drejtohet qytetarëve që morën pjesë në protestë, përfshirë edhe ish-mbështetës apo votues të Partisë Socialiste, duke lënë të kuptohet se kjo temë do të zërë një vend të rëndësishëm në adresimin e tij publik.


Be First to Comment