BQE prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë për dizajnin
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka publikuar modelet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së re të kartëmonedhave euro dhe ka nisur një konsultim publik, ku qytetarët evropianë mund të japin mendimin e tyre deri më 21 shtator 2026.
Modelet e reja janë përzgjedhur pas një konkursi mbarëevropian të dizajnit, ku morën pjesë mbi 1,200 aplikime nga grafikë dhe dizajnerë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Kartëmonedhat aktuale euro do të vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe do të qarkullojnë së bashku me serinë e re. Ky ndryshim shënon ridizajnimin e parë të plotë të kartëmonedhave euro që nga hyrja e tyre në përdorim në vitin 2002.
Në mesin e propozimeve të reja janë përfshirë figura të rëndësishme historike dhe kulturore, si shkencëtarja Maria Skłodowska-Curie, kompozitori Ludwig van Beethoven dhe artisti Leonardo da Vinci.
Një tjetër koncept i propozuar i kushtohet natyrës dhe biodiversitetit, me elemente që përfshijnë figura të shpendëve dhe simbolikën e mbrojtjes së mjedisit.
Sipas BQE-së, ridizajnimi synon jo vetëm një pamje më moderne, por edhe rritjen e qëndrueshmërisë së kartëmonedhave, duke përdorur materiale dhe procese prodhimi më miqësore me mjedisin.
Vendimi përfundimtar mbi dizajnin e ri pritet të merret nga Këshilli Drejtues i BQE-së deri në fund të vitit 2026.


Be First to Comment