Skip to content

Avokati i Thaçit reagon pas vendimit: “Ka edhe një lajm të mirë”

Pierre Richard Prosper, avokati kryesor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila e dënoi Thaçin me 25 vjet burgim.

Prosper e ka kundërshtuar ashpër aktgjykimin, duke deklaruar se beteja ligjore për drejtësi nuk përfundon me vendimin e sotëm. Sipas tij, procesi ka sjellë një rezultat që mbrojtja e konsideron të padrejtë.

“Sot dëshmuam një shkelje të drejtësisë. Është e qartë për mua dhe për ne se vendimi ishte i paracaktuar”, deklaroi Prosper, transmeton Klankosova.tv.

Në reagimin e tij, avokati iu referua edhe dëshmive të disa figurave ndërkombëtare që kanë qenë të përfshira në zhvillimet diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës në Kosovë. Ai përmendi ish-komandantin e NATO-s për Evropë, gjeneralin Wesley Clark, si dhe Jamie Rubin dhe Chris Hill.

Sipas Prosperit, dëshmitë e tyre kanë paraqitur një këndvështrim tjetër për rolin e Thaçit gjatë luftës.

“Në Tribunalin e Hagës kemi parë histori. Kemi parë gjeneralin Clark, Jamie Rubin, Chris Hill dhe njerëzit që ishin atje dhe ndanë eksperiencën e tyre me ne. Ata e bënë të qartë se Thaçi nuk ishte në krye. Por ajo që dëgjuam sot është se Gjykata rishkroi historinë”, tha ai.

Prosper kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, Gjykata ka trajtuar rolin e UÇK-së dhe raportin e saj me NATO-n.

“Ata po thonë që NATO bëri partneritet të qëllimshëm me një ‘ndërmarrje kriminale’”, u shpreh avokati.

Në fund, Prosper theksoi se mbrojtja nuk e konsideron të përfunduar procesin ligjor, duke bërë të ditur se do të vijojë përpjekjet për rrëzimin e vendimit.

“Lufta për drejtësi do të vazhdojë”, deklaroi ai.

Published inNews Shqip