Skip to content

Aziri: Çfarë kuptimi ka vota e shqiptarëve nëse u mohohet legjitimiteti?

Elmi Aziri, deputet i Lidhjes Shqiptare (LSH), në emisionin “Dialog te Lajmi”, të drejtuar nga gazetari Sefer Tahiri, ka ngritur shqetësimin për respektimin e vullnetit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Aziri tha se gara politike dhe procesi zgjedhor kanë kuptim vetëm atëherë kur vullneti i shprehur përmes votës së qytetarëve respektohet dhe përkthehet në përfaqësim institucional.

Sipas tij, mosrespektimi i këtij legjitimiteti mund të ndikojë në besimin e qytetarëve ndaj procesit politik dhe të ngrejë pikëpyetje mbi rolin e partive politike shqiptare.

Duke folur për funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Aziri theksoi rëndësinë e demokracisë konsensuale në një shtet multietnik, me qëllim parandalimin e majorizimit.

Në këtë kontekst, ai u ndal edhe te mekanizmi i Badinterit, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë nga majorizimi.

Aziri deklaroi se aktualisht në Kuvend janë bllokuar disa ligje që prekin edhe shqiptarët, pasi shumica qeverisëse nuk e ka shumicën e nevojshme sipas mekanizmit të Badinterit. Ndër ligjet e përmendura janë ato për vetëqeverisjen lokale, arsimin e mesëm, arsimin e lartë, si dhe për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

“Demokracia konsensuale nuk nënkupton mosrespektimin e vullnetit politik të bashkësisë së dytë etnike, që në këtë rast janë shqiptarët”, deklaroi Aziri.

Ai shtoi se respektimi i vullnetit të qytetarëve dhe i mekanizmave të përcaktuar me ligj është thelbësor për funksionimin e institucioneve dhe për përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend.

Published inNews Shqip