Tragjedi në Kretë: 21-vjeçari vritet, babai i mikut të tij dyshohet si autor
Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kretës në Greqi, ku një konflikt që dyshohet se lidhet me një aksident tragjik të ndodhur tre vite më parë ka përfunduar me vrasjen e një 21-vjeçari.
Viktima është identifikuar si Nikitas Gemistos, i cili u qëllua për vdekje me armë zjarri në zonën e Amoudaras, në Heraklion.
Sipas raportimeve të mediave greke, për ngjarjen është arrestuar 54-vjeçari Kostas Parasiris, babai i Giorgos Parasiris, mikut të viktimës, i cili humbi jetën pas një aksidenti automobilistik në vitin 2023.
Historia mes dy familjeve nisi më 20 tetor 2023. Në atë kohë, Nikitasi, 18 vjeç, po udhëtonte me automjet së bashku me mikun e tij 17-vjeçar, Giorgosin. Automjeti doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi.
Giorgosi pësoi dëmtime të rënda dhe u dërgua në spitalin Venizelio, ku qëndroi për 19 ditë në terapi intensive. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetonte.
Edhe Nikitasi mbeti i plagosur rëndë dhe iu nënshtrua një periudhe të gjatë trajtimi dhe rikuperimi.
Sipas raportimeve, pas humbjes së djalit, 54-vjeçari e konsideronte Nikitasin përgjegjës për aksidentin dhe vdekjen e të birit. Ndërkohë, 21-vjeçari kishte kërkuar që rrethanat e aksidentit të përcaktoheshin përmes procedurave ligjore.
Tre vite pas aksidentit, konflikti mori një kthesë tragjike.
Sipas hetimeve paraprake, 54-vjeçari dyshohet se e ka qëlluar disa herë me armë zjarri Nikitasin, duke i shkaktuar plagë fatale. Pas ngjarjes, i dyshuari raportohet se është dorëzuar në polici.
Mediat lokale raportojnë se, pas dorëzimit, ai u ka thënë autoriteteve: “Bëra atë që duhej të bëja”. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivi i saj mbeten objekt hetimi.
Vrasja e 21-vjeçarit ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin lokal. Ceremonia mortore u zhvillua në Mylopotamos, ku familjarë, miq dhe banorë të zonës u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit të riut.
Gjatë ceremonisë u raportuan edhe momente tensioni mes të afërmve të viktimës dhe policisë. Sipas mediave greke, disa familjarë kërkuan që efektivët të largoheshin nga vendi, ndërsa në pamjet e publikuara dëgjohen edhe thirrje të revoltuara ndaj tyre.
Hetimet nga autoritetet greke vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të personave të përfshirë.
