Pakti i ri i Bashkimit Evropian për Emigracionin dhe Azilin ka hyrë sot në fuqi, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si blloku menaxhon migracionin dhe kërkesat për azil. Pakti u miratua në maj të vitit 2024 dhe synon të krijojë një sistem më të unifikuar, më të shpejtë dhe më të sigurt për të gjitha shtetet anëtare.
Në një deklaratë zyrtare, Komisioni Evropian theksoi se për herë të parë BE-ja disponon një kuadër të plotë për emigracionin dhe azilin, i cili kombinon mbrojtjen e kufijve të jashtëm me rregulla të qarta për trajtimin e kërkesave për azil, duke vendosur një balancë mes solidaritetit dhe përgjegjësisë së vendeve anëtare.
Nga sot, shtetet e BE-së janë të detyruara të zbatojnë plotësisht dispozitat e reja. Një nga elementët kryesorë të paktit është forcimi i kontrollit në kufijtë e jashtëm përmes regjistrimit të detyrueshëm dhe verifikimeve të detajuara të sigurisë për migrantët që hyjnë në mënyrë të parregullt në territorin e unionit.
Po ashtu, pakti parashikon procedura të përshpejtuara në pikat kufitare për personat që kanë pak gjasa të përfitojnë mbrojtje ndërkombëtare, për ata që konsiderohen rrezik për sigurinë publike, si dhe për rastet kur konstatohet mashtrim ndaj autoriteteve.
Rregullat e reja sjellin edhe afate më të shkurtra për shqyrtimin e kërkesave për azil, ndërsa vendosin kritere më të rrepta për aplikimet e përsëritura ose ato që konsiderohen abuzive.
Një tjetër element i rëndësishëm është krijimi i një mekanizmi të përhershëm solidariteti mes vendeve anëtare. Sipas Komisionit Evropian, ky sistem synon të ndajë në mënyrë më të drejtë përgjegjësitë mes shteteve, duke u dhënë atyre mundësinë të kontribuojnë në forma të ndryshme sipas kapaciteteve dhe nevojave të tyre.