Bordi i Transparencës ul çmimet e karburanteve, nafta bie me 5 lekë
Bordi i Transparencës ka vendosur një tjetër rishikim të çmimeve të karburanteve, duke ulur çmimin e naftës me 5 lekë për litër dhe atë të benzinës me 1 lek për litër. Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi këtë të shtunë, më 13 qershor 2026, nga ora 14:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në vendimin e ardhshëm të bordit.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e radhës, çmimi maksimal i naftës (gazoil, standardi SSH EN 590) për shitje me pakicë është përcaktuar në 183 lekë/litër, ndërsa për shitje me shumicë në 171 lekë/litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 170 lekësh/litër në pakicë dhe 158 lekësh/litër në shumicë.
Autoritetet u kanë rikujtuar operatorëve të tregut detyrimin për zbatimin e këtij vendimi, duke paralajmëruar se çdo shkelje e konstatuar do të shoqërohet me masa administrative, deri në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Sa i përket akcizës, Bordi sqaron se çmimet aktuale të naftës dhe benzinës mbeten nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026. Për këtë arsye, për karburantet do të vijojë të zbatohet niveli i plotë i akcizës, në masën 100%.
Ndërkaq, çmimi i gazoilit për peshkim, i cili përjashtohet nga disa taksa dhe detyrime sipas legjislacionit në fuqi, është përcaktuar në 88 lekë për litër.