Mbi gjysma e pensionistëve në Shqipëri marrin pension të pjesshëm, trendi vijon të përkeqësohet
Gjendja ekonomike e pensionistëve në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa numri i atyre që nuk arrijnë të përfitojnë pension të plotë po rritet nga viti në vit.
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), gjatë vitit 2025 pensionet e pjesshme përbënin 55.2% të totalit të pensioneve të pleqërisë, nga 52.1% që ishte kjo shifër në vitin 2024. Brenda një viti, pesha e tyre është rritur me mbi 3 pikë përqindje.
Në të njëjtën kohë, numri i përfituesve të pensionit të plotë ka shënuar rënie. Në vitin 2025 u regjistruan 283,677 përfitues, krahasuar me 287,279 një vit më parë. Ndërsa pensionet e pjesshme u rritën ndjeshëm, duke arritur në 353,983 përfitues, ose 11.7% më shumë se në vitin 2024.
Ekspertët e lidhin këtë fenomen me mungesën e viteve të nevojshme të sigurimeve. Pensioni llogaritet mbi bazën e kontributeve të paguara gjatë jetës së punës, ndërsa kriteret për përfitimin e pensionit të plotë janë bërë më të ashpra pas Reformës së Pensioneve të vitit 2014.
Ligji parashikon rritjen graduale të viteve të kërkuara të sigurimit, të cilat do të arrijnë në 40 vite deri në vitin 2032. Për pasojë, shumë qytetarë që arrijnë moshën e pensionit nuk plotësojnë dot kushtet dhe përfitojnë vetëm pension të pjesshëm.
Një pjesë e madhe e pensionistëve aktualë kanë punuar gjatë viteve të tranzicionit, kur informaliteti në tregun e punës ishte i lartë. Shumë vite pune në sektorin privat, ndërtim apo tregti nuk janë deklaruar dhe nuk figurojnë në historikun e kontributeve të tyre.
Ndikim ka pasur edhe emigracioni masiv. Mijëra qytetarë kanë punuar për vite të tëra jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali, shpesh pa kontrata të rregullta ose duke kontribuar në sistemet e sigurimeve të vendeve ku kanë jetuar.
Si rezultat, shumë pensionistë marrin pagesa që në disa raste afrohen me nivelin e pensionit social dhe nuk mjaftojnë për të përballuar kostot e jetesës, veçanërisht në kushtet e rritjes së çmimeve të ushqimeve, ilaçeve dhe shërbimeve.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse informaliteti nuk reduktohet dhe deklarimi i pagave nuk përmirësohet, skema e pensioneve mund të përballet me vështirësi edhe më të mëdha në të ardhmen, duke rritur numrin e qytetarëve që mbështeten te pensionet minimale.