Skip to content

Çmimet e larta largojnë pushuesit nga privatët në Vlorë, plazhet publike mbushen me turistë

Rritja e çmimeve në plazhet private po shtyn gjithnjë e më shumë pushues drejt hapësirave publike në Vlorë. Pushues vendas, pensionistë dhe turistë të huaj po zgjedhin zonat falas për të kaluar pushimet, ndërsa kërkesa për zgjerimin e plazheve publike mbetet e lartë.

Me nisjen e sezonit turistik, dhjetëra qytetarë dhe pushues vendas po i drejtohen plazheve publike falas në Vlorë. Për shumë pensionistë dhe familje, kostot e larta të çadrave dhe shezlongëve në zonat private janë të papërballueshme, duke e bërë hapësirën publike alternativën e vetme për të shijuar detin gjatë verës.

Plazhet publike mbushen që në orët e para të mëngjesit, ndërsa në disa zona private vihet re një numër më i ulët pushuesish. Qytetarët kërkojnë më shumë hapësira të tilla, duke theksuar se çmimet e larta nuk u lejojnë akses në plazhet me pagesë.

Krahas pushuesve vendas, këto hapësira frekuentohen edhe nga turistë të huaj, të cilët vlerësojnë mundësinë për të pushuar pranë detit pa kosto shtesë për çadra dhe shezlongë.

“Vij nga Finlanda. Më pëlqen shumë këtu, është një vend i bukur dhe fakti që plazhi është falas është një avantazh i madh. Jam shumë e kënaqur,” shprehet një turiste.

“Jam nga Finlanda. Kam ardhur me katër fëmijët e mi. Uji është i pastër, ushqimi i mirë dhe plazhi falas është një arsye më shumë për ta zgjedhur këtë vend. Patjetër që do të rikthehemi,” thotë një tjetër pushues.

Në të gjithë vijën bregdetare të Vlorës janë krijuar dy hapësira publike falas në Lungomare, të pajisura me rreth 150 çadra dhe 300 shezlongë për banorët dhe turistët.

Plazhe publike pa shezlongë gjenden gjithashtu në Zvërnec dhe në Plazhin e Vjetër.

Megjithatë, krahasuar me sipërfaqet e administruara nga subjektet private, hapësirat publike mbeten të kufizuara, ndërsa kërkesa për to vijon të jetë e lartë gjatë sezonit veror.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *