Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të Partisë Demokratike për të bojkotuar seancën plenare të Kuvendit këtë të hënë.
Përmes një postimi në Facebook, Salianji ka kritikuar ashpër këtë vendim, duke deklaruar se bojkoti i parlamentit i shërben më shumë qeverisë së Edi Ramës sesa opozitës. Ai ka akuzuar kreun e PD-së, Sali Berisha, se me këtë qëndrim po ndihmon kryeministrin.
Sipas Salianjit, në një moment kur opozita duhet të ishte zëri i qytetarëve dhe i protestuesve, vendimi për të mos qenë në sallën e Kuvendit dëmton rolin opozitar të Partisë Demokratike.
Ai theksoi se interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo interes personal politik dhe bëri thirrje për ndryshim, duke kritikuar atë që e cilësoi si bashkëpunim mes Sali Berishës dhe Edi Ramës.
“Bojkoti i seancës parlamentare është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet Edi Ramës. Në ditët kur qytetarët janë në revoltë dhe problemet e qeverisë janë më të dukshme se kurrë, opozita duhet të jetë në Parlament për të përballur qeverinë dhe për t’u dhënë zë qytetarëve”, shkroi Salianji.
Në reagimin e tij, ish-deputeti shtoi se shqiptarët po kërkojnë një alternativë të re politike dhe se ndryshimi, sipas tij, do të vijë nga largimi i figurave që ai i konsideron përgjegjëse për situatën aktuale politike.

Be First to Comment