Pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet e hidrokarbureve kanë shfaqur tendencë rënëse, në Shqipëri nafta dhe benzina vijojnë të tregtohen me çmime të larta, duke mbetur rreth 216 lekë për litër.
Për këtë situatë ka reaguar Konfindustria, e cila i ka bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë masa të menjëhershme për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe bizneset.
Sipas organizatës, masa e parë duhet të jetë ulja me të paktën 15% e taksave mbi karburantet, çka, sipas vlerësimeve të saj, do të sillte një ulje prej rreth 20 lekësh për litër në çmimin final. Konfindustria sjell si shembull disa vende evropiane që kanë ndërhyrë përmes uljes së taksave për të zbutur ndikimin e çmimeve.
Një tjetër kërkesë është rikthimi i Bordit të Transparencës, me synimin që çdo ulje e taksave të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet për konsumatorët dhe të mos mbetet vetëm në favor të operatorëve të tregut.
Gjithashtu, Konfindustria kërkon kontrolle të menjëhershme për cilësinë e karburanteve që tregtohen në vend, duke ngritur shqetësimin se në treg mund të qarkullojnë sasi karburanti nën standardet e lejuara, me pasoja për automjetet, mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Në reagim kërkohet edhe forcimi i luftës kundër kontrabandës së karburanteve, përmes angazhimit të institucioneve përgjegjëse dhe organeve ligjzbatuese, me argumentin se kjo dukuri shkakton dëme të konsiderueshme ekonomike dhe cenon konkurrencën në treg.
Sipas Konfindustrisë, çmimet e karburanteve në Shqipëri vijojnë të jenë ndër më të lartat në rajon, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi koston e jetesës, aktivitetin ekonomik dhe prodhimin vendas.


Be First to Comment