Skip to content

Dëshmia rrëqethëse e të mbijetuarit nga tërmeti shkatërrues në Venezuelë

Dy tërmete të fuqishme goditën sot kryeqytetin e Venezuelës, Karakasin, me vetëm pak sekonda diferencë. Lëkundja e dytë, me magnitudë 7.5 ballë, konsiderohet ndër më të fortat që ka prekur vendin në më shumë se një shekull.

Mes të mbijetuarve është edhe Jesus Alejandro Pina, një inxhinier 38-vjeçar nga Karakasi, i cili ndodhej në katin e sipërm të një ndërtese shtatëkatëshe në momentin kur toka nisi të dridhej.

“Ishte jashtëzakonisht i fortë. Zgjati shumë, ndoshta rreth një minutë. Xhamat po thyheshin, fotografitë po binin nga muret, televizori u rrëzua dhe gjithçka rreth nesh po shembej. Llambat dhe çdo send prej qelqi u thyen, ndërsa kolonat dhe trarët e ndërtesës bënin një zhurmë të frikshme”, rrëfeu ai.

Pina tha për Al Jazeera se, sapo lëkundjet përfunduan, doli menjëherë jashtë ndërtesës.

“Njerëzit ishin të gjithë në rrugë, në sheshe dhe jashtë shtëpive të tyre. Dallohej frika dhe paniku në fytyrat e tyre. Kishte shumë të plagosur”, tregoi ai.

Sipas tij, disa ndërtesa u shembën plotësisht, ndërsa ekipet e zjarrfikësve dhe të emergjencës punuan pa ndërprerje për të nxjerrë njerëzit e bllokuar nën rrënoja.

Edhe disa orë pas tërmetit, shumë banorë refuzonin të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

“Është mesnatë dhe njerëzit janë ende jashtë, duke ndjekur lajmet dhe duke pritur me ankth. Të gjithë janë në gatishmëri, pasi autoritetet paralajmërojnë se mund të ketë lëkundje të tjera pasuese”, përfundoi ai.

Published inNews Shqip

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *