Ditë të vështira në qeli për Ilir Metën: ‘Po përballem me presion…!
Ilir Meta, aktualisht President i Partisë së Lirisë, ka reaguar nga qelia përmes një deklarate audio, ku pretendon se i janë mohuar dhe shkelur disa të drejta, ndërsa të tjera, sipas tij, po tjetërsohen në mënyrë abuzive.
Ai është vizituar nga përfaqësuesi i Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Zylyftar Bregu, i cili ka kontaktuar edhe drejtuesit e burgut Burgut Jordan Misja për të verifikuar pretendimet.
Në deklaratën e tij, Meta përmend disa shqetësime konkrete lidhur me kushtet në qeli. Ai thekson se mungesa e ndriçimit në tualet është zgjidhur vetëm pas ndërhyrjes së përfaqësuesit të KSHH-së, ndërsa shton se ka edhe raste të tjera që i cilëson si sjellje të papërshtatshme, përfshirë dëmtimin e mjeteve që përdor për ushtrime fizike, në një ambient ku mungojnë kushtet bazë si palestra.
Meta shprehet se shqetësimi i tij më i madh lidhet me deklaratat e një zyrtari të policisë së burgut, i cili, sipas tij, ka dhënë informacion të pasaktë lidhur me kushtet dhe trajtimin e tij, veçanërisht për kohën e ajrosjes.
Ai kërkon një ballafaqim të drejtpërdrejtë me këtë zyrtar, në praninë e përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit, duke e akuzuar atë për dezinformim dhe duke theksuar se është i gatshëm të provojë pretendimet e tij në çdo moment.