Ola Bruko reagon pas lajmeve për largimin nga News24: “Janë thjesht sajesa”
Moderatorja dhe gazetarja e News24, Ola Bruko, ka reaguar pas raportimeve se ajo është larguar nga televizioni, duke i mohuar kategorikisht këto pretendime.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bruko i ka cilësuar lajmet për largimin e saj si “sajesa të stisura”, duke sqaruar se mungesa e saj në ekran vetëm për një ditë ka shkaktuar raportime për një dorëheqje që, sipas saj, nuk ekziston.
“Një ditë mungova në ekran, sot e diel, dhe u bë nami, u sajua deri largimi im nga News24!! Janë thjesht sajesa të stisura”, shkruan moderatorja.
Ajo ka konfirmuar se do të rikthehet në ekran në programin e drekës dhe se do të vijojë angazhimin e saj në televizion edhe gjatë sezonit të ri.
“Shihemi nesër si çdo ditë në orën 13:30 në programin e drekës. Do shihemi dhe gjithë sezonin gjithashtu! News24 është shtëpia ime”, ka shkruar Bruko.
Reagimi i saj vjen pas një artikulli ku pretendohej se moderatorja kishte dhënë dorëheqjen nga News24 dhe po shqyrtonte mundësi të reja në televizione të tjera private.
Me deklaratën e saj, Ola Bruko ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga News24 dhe se do të vazhdojë të jetë pjesë e ekranit të televizionit.
