Skip to content

E FUNDIT/ Qeveria sjell ndryshime për administratën publike, ja çfarë pritet të ndodhë

300 kredi pa interes për punonjësit e administratës publike, ja kur hapet aplikimi

Punonjësit e administratës publike do të kenë mundësinë të përfitojnë nga një skemë e re kredie me interes 0% për blerjen e një banese. Në total do të vihen në dispozicion 300 kredi të lehtësuara, ndërsa aplikimet do të hapen më 27 gusht dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila ka sqaruar se skema synon të mbështesë punonjësit e administratës publike që përmbushin kriteret e përcaktuara.

Financimi do të bëhet mbi bazën e çmimit të referencës, ndërsa sipërfaqja e banesës që mund të financohet do të përcaktohet në varësi të përbërjes së familjes dhe të dhënave në certifikatën familjare.

Kuotat janë ndarë mes pesë institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të kenë nga 70 kuota secila, ndërsa 20 kuota do t’i takojnë Policisë së Burgjeve, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Për të përfituar nga kjo skemë, aplikantët duhet të jenë të punësuar në administratën publike dhe të plotësojnë kushtet e përcaktuara. Ata nuk duhet të kenë banesë në pronësi apo në proces legalizimi, përveç rasteve kur banesa që disponojnë nuk plotëson standardet e përcaktuara të strehimit.

Një tjetër kriter është që aplikantët të mos zotërojnë pasuri të luajtshme ose të paluajtshme me vlerë më të madhe se 50% e vlerës së banesës që synojnë të blejnë përmes kredisë së lehtësuar. Gjithashtu, nuk duhet të kenë përfituar më parë nga programe të tjera të strehimit social.

Aplikimi do të kryhet online përmes portalit e-Albania. Punonjësit që plotësojnë kriteret mund të aplikojnë brenda periudhës së përcaktuar, nga 27 gushti deri më 25 shtator.

Published inNews Shqip