Mundësi e re për punonjësit e administratës publike: 300 kredi me interes 0% do të vihen në dispozicion për blerjen e një banese. Thirrja për aplikime do të hapet më 27 gusht dhe do të jetë e hapur deri më 25 shtator.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila ka shpjeguar se skema synon të mbështesë punonjësit e administratës publike që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Në total do të ofrohen 300 kredi të reja pa interes, ndërsa financimi do të llogaritet mbi bazën e çmimit të referencës. Sipërfaqja e banesës që mund të financohet do të përcaktohet në varësi të përbërjes familjare dhe certifikatës familjare.
Kuotat janë shpërndarë në pesë institucione. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të kenë nga 70 kuota secila. Ndërkohë, 20 kuota janë parashikuar për Policinë e Burgjeve, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.
Për të qenë përfitues të skemës, aplikantët duhet të jenë të punësuar në administratën publike dhe të plotësojnë një sërë kriteresh. Ata nuk duhet të kenë banesë në pronësi apo në proces legalizimi, përveç rasteve kur banesa ekzistuese është nën standardet e përcaktuara të strehimit.
Gjithashtu, aplikantët nuk duhet të kenë pasuri të luajtshme ose të paluajtshme me vlerë më të madhe se gjysma e vlerës së banesës që synojnë të blejnë përmes kredisë së lehtësuar. Një kriter tjetër është që të mos kenë përfituar më parë nga programe të tjera të strehimit social.
Aplikimi do të bëhet online përmes portalit e-Albania, ndërsa ministrja Ibrahimaj ka ftuar të gjithë punonjësit që plotësojnë kushtet të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar.
