Qeveria ka miratuar një vendim të ri për indeksimin e bazës së vlerësuar të vitit 2024, duke përcaktuar një koeficient prej 6.4% që do të përdoret në llogaritjen e pensioneve të ardhshme.
Ky mekanizëm synon përditësimin e vlerës së pagave mbi të cilat qytetarët kanë paguar kontributet ndër vite, në mënyrë që pensionet e reja të reflektojnë më mirë kushtet aktuale ekonomike dhe ndryshimet në paga e inflacion.
Sipas vendimit, indeksi 6.4% do të aplikohet mbi bazën individuale të vlerësuar deri në vitin 2024 dhe do të përdoret për të gjitha pensionet që do të njihen si e drejtë nga data 1 janar 2026 e në vazhdim.
Vendimi përfshin gjithë periudhën kontributive nga viti 1994 deri në vitin 2024, duke rivlerësuar pagat dhe kontributet e derdhura ndër vite përmes koeficientëve akumulativë. Qëllimi është që kontributet e paguara vite më parë të mos humbasin vlerën për shkak të inflacionit dhe rritjes së pagës mesatare.
Qeveria ka sqaruar edhe kufijtë maksimalë të bazës së vlerësuar. Për periudhën 1994–2001, baza nuk mund të kalojë trefishin e pagës minimale në shkallë vendi. Ndërsa për periudhën nga viti 2002 e në vazhdim, kufiri maksimal do të jetë paga maksimale e miratuar sipas ligjit për sigurimet shoqërore.
Efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili do të jetë përgjegjës edhe për zbatimin e formulave të reja të llogaritjes për pensionistët që do të dalin në pension nga viti 2026.