**Kompania e Aeroportit të Mynihut tërhiqet nga projekti i Aeroportit të Vlorës**
Kompania Munich Airport International GmbH, që menaxhon aeroportin e Mynihut, ka vendosur të mbyllë degën e saj në Shqipëri dhe të tërhiqet nga projekti për menaxhimin e Aeroportit të Vlorës.
Sipas raportimeve, bordi i drejtorëve të kompanisë ka miratuar vendimin për likuidimin dhe çregjistrimin e degës së hapur në Shqipëri, duke e konsideruar këtë hap si në interesin më të mirë të shoqërisë.
Në vendim thuhet se do të ndërpriten të gjitha aktivitetet në Shqipëri dhe do të nisin procedurat ligjore për mbylljen përfundimtare të degës, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Kompania kishte hyrë në tregun shqiptar në mars të vitit të kaluar, me qëllim përfshirjen në operimin e Aeroportit të Vlorës, një projekt koncesionar që synon menaxhim afatgjatë të aeroportit.
Sipas marrëveshjes koncesionare, operimi i aeroportit duhet t’i besohej një kompanie me eksperiencë në këtë fushë, pasi aksionerët aktualë të projektit nuk kanë përvojë të mëparshme në menaxhimin e aeroporteve.
Tërheqja e kompanisë gjermane përbën një zhvillim të rëndësishëm për ecurinë e projektit të Aeroportit të Vlorës, i cili mbetet ende në fazë zhvillimi.