Daniel Serwer: Mund të ketë reduktim të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë
Profesori amerikan dhe eksperti i Ballkanit, Daniel Serwer, ka paralajmëruar se prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Kosovë mund të reduktohet në të ardhmen, duke theksuar se vendi duhet të përgatitet për një skenar të tillë.
Në një intervistë televizive, Serwer u shpreh se, megjithëse do të preferonte që trupat amerikane të qëndronin dhe të shtoheshin në Kosovë, ai nuk do të habitej nëse do të ndodhte një tërheqje graduale.
Ai sugjeroi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mund të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë në Kosovë, duke kontribuar me trupa nëse do të ishte e nevojshme.
Sipas tij, për Kosovën prioritet mbetet anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian, të cilin e cilësoi si zgjidhje për shumë nga sfidat e sigurisë në rajon. Ai shtoi se situata politike e brendshme dhe mungesa e stabilitetit mund të ndikojnë në proceset e integrimit euroatlantik.
Serwer gjithashtu ngriti shqetësime për qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës, duke deklaruar se presidenti Aleksandar Vuçiç mund të jetë duke pritur rrethana të favorshme gjeopolitike për të vepruar në raport me veriun e Kosovës.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur debati për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor mbetet i ndjeshëm dhe në fokus të vëmendjes ndërkombëtare.