Tragjedi në Itali: Humb jetën një kamionist shqiptar në portin e Ankonës
Një shtetas shqiptar ka humbur jetën në Itali, pasi u gjet pa ndjenja brenda kamionit që drejtonte në portin e Ankonës.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur në hyrje të zonës së përpunimit të portit, ku 68-vjeçari u konstatua në gjendje të rëndë shëndetësore brenda mjetit të tij.
Ekipet e emergjencës dhe mjekët e Kryqit të Kuq mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe tentuan ta rikthenin në jetë me manovra reanimimi dhe përdorimin e defibrilatorit. Më pas ai u transportua me urgjencë drejt spitalit rajonal të Torrette, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Sipas dyshimeve të para të mjekëve, shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një arrest kardiak, megjithëse autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, pritet edhe rezultati i autopsisë, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes. Deri tani, identiteti i viktimës nuk është bërë publik.