Një aksident i rëndë automobilistik ka përfunduar me humbjen e jetës së një 23-vjeçari në aksin Fushë Krujë–Tiranë, pranë fshatit Larushk.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti drejtohej nga një 18-vjeçar, i cili dyshohet se kishte nisur një parakalim. Në përpjekje për të shmangur një automjet tip Volkswagen që po vinte në drejtim të kundërt, 18-vjeçari humbi kontrollin e makinës, e cila doli nga trajektorja dhe u përplas me barrierat anësore të rrugës.
Përplasja rezultoi fatale për pasagjerin 23-vjeçar, shtetas egjiptian me profesion mekanik, i cili humbi jetën në vendngjarje. Mësohet se i riu punonte në kompaninë e familjes së 18-vjeçarit që ndodhej në drejtimin e automjetit.
Drejtuesi 18-vjeçar mbeti i plagosur dhe u transportua me autoambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Por gjatë rrugës, autoambulanca që po transportonte të plagosurin u përfshi në një tjetër përplasje me një automjet, në afërsi të Tiranës. Nga ky incident nuk raportohet të ketë pasur të lënduar mes personelit mjekësor apo të plagosurit.
Pas përplasjes, 18-vjeçari u transferua në një tjetër autoambulancë dhe vijoi transportin drejt Spitalit të Traumës, ku mori ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po hetohen shkaqet dhe dinamika e aksidentit që i mori jetën 23-vjeçarit.
