Shqipëria u mblodh në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, me synimin për të hapur rrugën drejt mbylljes zyrtare të grupkapitujve, pas përmbushjes me sukses të një prej fazave më të rëndësishme dhe piketave të ndërmjetme për grupkapitullin e “Themeloreve”.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë zhvillim si një nga momentet më të rëndësishme për vendin, duke u shprehur optimist për procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, Shqipëria ka kaluar me sukses piketat e ndërmjetme (IBAR), pavarësisht skepticizmit të shprehur nga opozita gjatë muajve të fundit.
Rama përsëriti gjithashtu objektivin që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.
“Ndihemi të inkurajuar, por edhe më të përgjegjshëm, sepse e dimë që nuk është fundi, por vetëm fillimi i fundit. Na pret ende shumë punë, por dua t’u them shqiptarëve se IBAR-i u kalua me sukses. Ne do të bëhemi anëtarë të kësaj familjeje brenda kësaj dekade. E besoj dhe do të vazhdoj të punoj për këtë së bashku me ekipin,” u shpreh Rama.