E rëndë në Mirditë: Gjendet i vrarë 45-vjeçari, punonjës i një kompanie të njohur

Vrasje në Mirditë, gjendet i pajetë brenda makinës 45-vjeçari Valter Lleshi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së hënës zonën e Spaçit në Mirditë, ku 45-vjeçari Valter Lleshi është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij.

Sipas informacioneve paraprake, trupi i pajetë i viktimës u zbulua rreth orës 07:10 në fshatin Shkorrët, përgjatë aksit rrugor Reps–Spaç. Lleshi ndodhej në një automjet tip “Toyota”, ku dyshohet se është qëlluar për vdekje.

Burime paraprake bëjnë me dije se viktima ishte punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç. Kujtojmë se në mars të këtij viti, në një prej makinerive të kësaj kompanie ishte vendosur lëndë plasëse, por ajo nuk shpërtheu.

Po ashtu, sipas raportimeve mediatike, Lleshi dyshohej si autor i vrasjes së Anton Kelit, taksist nga Rrësheni, ngjarje e ndodhur në vitin 2020.

Menjëherë pas sinjalizimit, forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Njoftimi i Policisë:

“Rreth orës 07:10, në fshatin Shkorrët, Mirditë, në aksin rrugor Reps–Spaç, është gjetur në automjet, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi V.Ll., rreth 45 vjeç.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për administrimin e provave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit ose autorëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *